Si ta realizoni manikyrin në shtëpi si në sallonin e bukurisë? Këshilla nga estetistja e të famshmeve

Të realizosh manikyrin perfekt nuk është edhe aq e thjeshtë sa duket

Duhet të keni parasysh të mos dëmtoni thonjtë tuaj, si dhe ta realizoni me kujdes në mënyrë që të duket estetikisht bukur.

Estetistja e disa VIP-ave, mes tyre edhe e Demi Moore, Jessica Vartoughian, ka dhënë për Daily Mail disa këshilla që do t’ju ndihmojnë të realizoni manikyrin vetë në shtëpi, njësoj siç e bëjnë estetistet në sallonet e bukurisë.

Cilat janë gjërat që duhet të keni parasysh?

Zgjidhni bazën e përshtatshme për thonjtë tuaj

Thonjtë janë të ndryshëm, prandaj produktet që përdorni duhet t’i përshtaten llojit dhe karakteristikave të thonjve tuaj. Baza është shumë e rëndësishme dhe duhet të zgjidhet në varësi të problemit të thonjve tuaj (të brishtë, të thatë, normalë apo të dëmtuar).

Ushqeni thonjtë

Pasi hiqni manikyrin mundohuni t’i trajtoni dhe ushqeni thonjtë. Aplikoni kremëra ose vajra të përshtatshëm ose bëni maska në kushte shtëpie. (Një metodë praktike është zhytja e thonjve për disa minuta në vaj ulliri me lëng limoni.)

Kujdesuni për kutikulat

Kujdesuni për kutikulat dhe limojini thonjtë gjithmonë në një drejtim. Sigurohuni që para se të vendosni manikyrin thonjtë të jenë të pastër.

Aplikoni 5 shtresa

Për një manikyr perfekt aplikoni pesë shtresa. Dy shtresa nga produkti bazë, dy shtresa manikyr dhe një shtresë shkëlqyesi.

Mirëmbajtja është çelësi

Aplikoni shkëlqyes një ditë pas manikyrit dhe kujdesuni të mos i ekspozoni duart ndaj produkteve të ashpra që mund të dëmtojnë manikyrin.

Kujtesë: Mos i përdorni thonjtë si mjete, trajtojini si bizhuteri.