Gjashtë gjërat që duhet të shmangni përpara një udhëtimi me aeroplan

Fluturimi është gjithmonë stresues, edhe për ata që nuk kanë frikë nga avionët

Të qëndrosh për disa orë në avion nuk është shumë komode. Gjithsesi, për ju që keni ose jo frikë nga avionët, duhet të dini paraprakisht disa gjëra, përpara se të shkoni në një udhëtim.

Ne do t’ju vijmë në ndihmë duke ju treguar gjërat që duhet të shmangni përpara një udhëtimi:

Vendosja e dokumenteve në një çantë të vogël

Disa njerëz i vendosin të gjitha dokumentet e rëndësishme në një çantë të vogël, në mënyrë që t’i kenë gjithmonë pranë tyre. Mirëpo, sa më shumë çanta të keni, aq më e vështirë do të jetë për ju t’i shikoni të gjitha ato. Një çantë e vogël harrohet lehtësisht në një taksi ose kafene aeroporti. Është më mirë të vendosni pasaportën tuaj në xhepin e një çantë të madhe.

Nuk mendoni paraprakisht si do shkoni në aeroport

Nëse do të shkoni në aeroport duke përdorur transportin publik, mos harroni të gjeni orarin që ju përshtatet. Bëni kujdes nëse fluturimi juaj është mbrëmje, pasi transporti publik natën është më i kufizuar.

Nuk e menaxhoni kohën siç duhet

Rekomandohet të arrini në aeroport 2-3 orë përpara nisjes. Mirëpo, ndonjëherë kjo është shumë dhe përfundoni duke shpenzuar shumë kohë duke pritur. Nga ana tjetër, ata që nuk duan të arrijnë paraprakisht rrezikojnë të vonohen dhe mund ta humbasin fluturimin e tyre. Idealja do të ishte të jeni në aeroport 1 orë e gjysmë përpara, nëse keni bërë check-in paraprakisht.

Kaloni natën në aeroport

Kjo është ideja më e keqe që mund të keni si turist. Shumica e aeroporteve nuk kanë vende të përshtatshme për të fjetur, vetëm disa karrige të parehatshme. Ju nuk do të keni shans për t’u çlodhur dhe për të pushuar. Të nesërmen do të jeni tmerrësisht të lodhur dhe thjesht do të flini në vend që të shijoni pushimet tuaja.

Provoni ushqime të pazakonta përpara një fluturimi

Kur jeni jashtë vendit, gjithmonë dëshironi të shijoni kuzhinën e atij qyteti që keni vizituar, shkruan Class. Mirëpo, nuk rekomandohet të hani ushqim ekzotik para një fluturimi, pasi nuk e dini se si do të reagojë stomaku juaj ndaj pjatave të pazakonta.

Paniku

Edhe nëse diçka nuk shkon mirë dhe fluturimi juaj vonohet ose anulohet, paniku do ta përkeqësojë situatën. Në këto raste, ju duhet të merrni frymë thellë dhe t’i drejtoheni punonjësve të aeroportit për ndihmë. Ata do t’ju japin të gjitha udhëzimet e nevojshme se çfarë duhet të bëni.