Edhe pse dështoi në prezantim, Cybertruckun e Teslas e porositën 150 mijë persona

Tesla ka pranuar gati 150,000 porosi për makinën e saj të re, ka thënë shefi i kompanisë Elon Musk, edhe përkundër lansimit që shkoi keq.

Musku mbet i shtangur në skenë kur xhamat e veturës Cybertruck u thyen gjatë demonstrimit që u desh të tregonte qëndrueshmërinë e tyre.

Aksionet e Teslas ranë për 6.1% pas kësaj ngjarjeje të mbajtur të enjten dhe erdhën edhe disa komente të këqija, raporton BBC.

Me dizajnin e tij të çuditshëm, vetura elektrike u prit me brohoritje pozitive por edhe me dëshpërim.

Por të shtunën, Musku shkroi në Twitter: “146 mijë vetura Cybertruck janë porositur deri më tani. 42% kërkuan motorin e dyfishtë, 41% të trefishtin dhe 17% atë me një motor”, transmeton Koha.net.Ende s’është publikuar data e lansimit të tij, por analistët thonë se ai do të jetë në rrugë para fundit të vitit 2021.

Automjeti me pamje industriale është i mbuluar në aliazh çeliku inox dhe do të jetë në gjendje të shkojë nga 0 në 100 km / orë për rreth tre sekonda, tha Musk në prezantimin e tij në Hawthorne, California.

Megjithatë, disa analistë janë më të brengosur për dizajnin e tij futuristik, me Jessica Caldwell nga tregu i veturave “Edmunds” që thotë: “Duket si një version kamioni i veturës DeLorean nga filmi ‘Back To The Future’”.

Prezantimi i këtij automjeti pati për qëllim të tregonte se sa i qëndrueshëm është ai, si në karroceri ashtu edhe në xhama, ndaj plumbave dhe goditjeve me çekan, por që dështoi në tentimin e parë dhe të dytë.

Musku, pas këtij dështimi, tha: “Ka hapësirë për përmirësim”.

Me rënien e aksioneve të Teslas, pasuria personale e Muskut ra për rreth 700 milionë euro brenda një dite, sipas revistës “Forbes”.