5 ngjyrat e veshjeve që nuk duhet të mungojnë në gardërobën tuaj në sezonin vjeshtë-dimër

Me mbylljen e sezonit të verës, zakonisht u themi mirupafshim edhe ngjyrave të çelura e të forta duke i zëvendësuar me ngjyra në tone të errëta. Por këtë vit tendencat tregojnë të kundërtën. Nëse dëshironi të ecni me hapin e trendeve të fundit, duhet të hiqni dorë nga veshjet me ngjyra të errëta. Sezoni vjeshtë-dimër 2020 është sezoni i ngjyrave të ndritshme që mund të kombinohen mes tyre në mënyrë perfekte. Nuk do të mungojë ngjyra e kuqe, vishnje dhe e zezë, por 5 ngjyra të tjera do të jenë trendi që do të mbizotërojë këtë sezon dhe që do t’i japë gjallëri gardërobës suaj edhe në stinët e zymta.

Në vendin e parë është jeshilja, të cilën mund ta kombinoni me të bardhën, me ngjyrën e kremit ose me ngjyra të tjera të qarta. Ato që adhurojnë ngjyrat e forta mund ta kombinojnë edhe me të verdhën.

Roza, qoftë në nuancat e pastelit apo në tone të forta, ka pushtuar pasarelat e Javës së Modës.

Bluja, kryesisht ai toni elegant, jo shumë i errët, që është perfekt për t’u kombinuar edhe me të zezën, do të jetë një ngjyrë që nuk duhet të mungojë në gardërobën tuaj.

Ngjyra e arit është një tjetër ngjyrë që do të vazhdojë të jetë e domosdoshme, sidomos për raste darkash. Megjithatë duhet shmangur nëse dëshironi një pamje ‘casual’.

Portokallia, edhe pse është një ngjyrë e vështirë për t’u kombinuar, nëse gjeni tonin perfekt është zgjedhja më e mirë për t’i dhënë pamjes suaj dritë edhe në ditët e zymta./Revista Class